Unioni Europian i Transmetimeve i ndaloi një prej kanaleve televizive më të famshme të Kinës që të transmetojnë festivalin “Eurovision Song Contest”, pasi ai censuroi elementë “LGBT” të shfaqjes.
“Mango TV” u kritikua në rrjetet sociale, pasi shfokusoi gjatë transmetimit flamujt shumëngjyrësh si dhe tatuazhet, gjatë gjysmëfinales së ditës së martë.
Televizioni kinez nuk transmetoi këngën e Irlandës, për shkak të lidhjes homoseksuale që ajo paraqiste. Të njëjtin fat pësoi edhe kënga e Eugent Bushpepës, por këtë herë për shkak të tatuazheve të këngëtarit.
Unioni Europian i Transmetimeve tha se kjo censurë nuk përkon me vlerat e tij të diversitetit. Për këtë arsye, EBU-ja ndërpreu çdo raport me televizionin kinez, që nuk u lejua të transmetojë gjysmëfinalen e dytë dhe nuk do të transmetojë as finalen e madhe.
Censura e “Mango TV” u mor vesh falë përdoruesve të shumtë kinezë të medieve sociale, të cilët përdorën këto platforma për të denoncuar veprimet e kanalit televiziv.
Top Channel