Beteja Hamilton-Vettel spostohet në Europë. Ndalesa e parë, në Barcelonë

11/05/2018 12:37

Gara për Çmimin e Madh të Barcelonës prezanton Lewis Hamiltonin si kryesuesin e Botërorit të Formulës 1, e kampioni në fuqi duket se është gati për betejën me Sebastian Vettelin.

Pas një nisjeje jo të mirë të sezonit, klasifikimi është intriguar dhe piloti britanik synon shkallën më të lartë të podiumit.

“Shpresoj që disa përgjigje që morëm në teste të na japin një pozicion më të mirë. E vështirë të thuash se cila është aktualisht makina më e mirë, mes Ferrarit dhe Mercedesit. Unë mendoj që rivalët tanë janë pak më mirë në provat kualifikuese, por unë kam bindjen se mund të fitoj garën, edhe nëse nuk kam makinën më të fortë”, është shprehur Hamilton.

Në kampin tjetër, Sebastian Vettel kërkon të frenojë entuziazmin, edhe pse të gjithë tifozët e skuadrës nga Maranello shpresojnë te rikthimi i titullit kampion.

“Është ende herët për të folur, pasi do të duhet të shikojmë situatën dhe renditjen në muajin tetor. Është një kampionat me pasion dhe për ne nuk është keq që luftojmë për fitoren. Konkurrenca për vendet e kreut është e ashpër dhe ka detaje të vogla që mund të bëjnë diferencën, por do të shikojmë mesin e sezonit”, tha piloti i Ferrarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA