Skënderbeu nis “pushimet”, pas 55 ndeshjesh sezonale. Champions, ende në dyshim

10/05/2018 15:16

Ndeshja me Lushnjen, që i dha edhe titullin kampion Skënderbeut, ishte e 55-ta për skuadrën korçare këtë sezon; mes ndeshjeve europiane, Kupës së Shqipërisë dhe kampionatit.

Kjo është një shifër rekord për skuadrën shqiptare, ndërkohë që shifra të tilla ndeshjesh për një sezon, pak skuadra i arrijnë dhe i kalojnë edhe në arenën europiane.

Por, ndeshjet e fundit kanë qenë disi të luhatura në vendosmërinë për të mbyllur përfundimisht një sezon, që nuk ka qenë asnjëherë në diskutim për Skënderbeun.

“Pas dy vendimeve të Komisionit të Disiplinës dhe atij të Apelit, nuk doja ta thoja më herët e ta theksoja, pasi do t’u krijoja alibi lojtarëve për këto lloj performancash, por sigurisht që kanë lënë gjurmë te motivimi i ekipit”, shprehet trajneri Ilir Daja.

Ndërkohë që shpallja kampion e Skënderbeut, në kushte normale e kualifikon atë në raundet kualifikuese të Champions Leagues, në këtë rast, nisur nga vendimet e Komisioneve të Disiplinës dhe Apelit të UEFA-s, gjërat janë më të ndërlikuara dhe jo të sigurta.

“Shpresoj që të vazhdojmë këtë ecuri pozitive që kemi pasur. Të vazhdojmë të përfaqësojmë qoftë qytetin tonë, qoftë Shqipërinë, sepse në fund të fundit Skënderbeu ka qenë si një kombëtare e dytë për shqiptarët”, tha më tej Daja.

Me llogaritë e mbyllura dhe me kaq shumë ndeshje e minuta në këmbë, në 3 takimet e radhës në kampionat, Skënderbeu duket se do t’i japë mundësi aktivizimi lojtarëve me më pak minuta gjatë këtij sezoni.

Korçarët do të presin këtë fundjavë Teutën, më pas do të udhëtojë për në Gjirokastër, e do ta mbyllë me Vllazninë javën e fundit të kampionatit, kur do t’i dorëzohet trofeu dhe do të festohet titulli i 8 kampion.

Kjo me sa duket mund të jetë edhe një formë rigjenerimi për skuadrën, për finalen e Kupës së Republikës, që do të zhvillojë përballë Laçit më 27 maj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA