Prezantimi i fazës përgatitore në Dimaro për të tetin vit radhazi të Napolit, ishte një rast i mirë i presidentit të skuadrës së futbollit në Serinë A, për të shpërthyer thuajse të gjitha inatet sezonale.

Dështimi në fushatën për titullin, sipas biznesmenit italian erdhi për shkak se arbitrat kushtëzuan jo pak ndeshje të kampionatit.

“Këto pikë që kemi diferencë me Juventusin të paktën nuk duhet t’i shtojmë, për të bërë më pas një vlerësim objektiv dhe për të vendosur përgjegjësinë e atyre 8 pikëve që na u vodhën. Arbitrat dhe sistemi VAR na mohuan titullin”, tha presidenti i Napolit.

Ai nënvizoi gjithashtu se skuadra nuk do të marrë pjesë në turne të mëdhenj miqësorë, por do të sfidojë Liverpulin në 4 Gusht në Dublin. E vështirë për tu kuptuar nëse në pankinën e Napolit do të jetë sërish trajneri Sarri.

“Unë shpresoj që Sarri do të jetë në stol, por nuk mund të detyroj asnjë me forcë. Ai është një njeri që i dedikohet punës dhe unë mundohem të mos ndërhyj, por sidoqoftë takimi është javën tjetër. Sarrin e zgjodha unë dhe nuk mund të ankohet sesi shkuan këto 3 vjet, pasi ka patur shumë vlerësime” tha presidenti i Napolit.

Top Channel