Me shumë prej titullarëve në stol, Reali i Madridit u mposht me rezultatin 3-2 nga Sevilla, në transfertën e vlefshme për javën e 36 të La Ligës.

Vendasit ishin të papërmbajtshëm në pjesën e parë, duke shënuar dy herë me anë të Ben Yadder dhe Layun dhe duke shkuar në pushim me avantazh të dyfishtë.

Në fillim të pjesës së dytë Reali pati mundësinë për të rihapur ndeshjen, por Sergio Ramos gaboi nga pika e penalltisë, ndërsa në minutën e 84-t ishte sërish kapiteni i madrilenëve, që shënoi në portën e tij këtë herë, duke çuar rezultatin 3-0 për andaluzianët.

Skuadra e Zinedine Zidane u zgjua në minutën e 87′, kur Mayoral shënoi golin e parë, ndërsa në minutat shtesë pati një tjetër 11-metërsh për Realin, që këtë herë u dërgua në rrjetë nga Ramos.

Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për andaluzianët, që synojnë një vend në Europa league, ndërsa Reali thuajse e ka mbyllur kampionatin e tij, pasi nuk ka më pretendime.

Top Channel