Jose Mourinho shuan zërat për largimin e Paul Pogba nga Manchester United. Trajneri portugez, pavarësisht përplasjeve që ka me mesfushorin francez, ka deklaruar se Pogba do të vazhdojë të jetë pjesë e “Djajve të kuq”, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm.
“Mund t’iu garantoj se unë nuk e dëshiroj largimin e Paul Pogba nga Manchester United. Edhe klubi dëshiron ta mbajë atë. Nuk ka pasur asnjë lëvizje në merkato për të nga ndonjë klub, apo edhe vet agjenti i tij. Për mendimin tim, ai qëndron këtu”, tha Mourinho.
Mesfushori 25-vjeçar ka luajtur 25 ndeshje në Premier League këtë sezon e ka shënuar 6 gola, por ai nuk është aktivizuar në disa ndeshje kyçe të “Djajve të kuq” në Champions League, e kjo shtoi zërat e merkatos rreth tij.
Vetëm një ditë më parë, media britanike foli për idenë e agjentit të Pogba, Mino Raiola, për t’ia ofruar kartonin e futbollistit skuadrës së Paris SG-së, por edhe Realit të Madridit e Manchester Cityt, hipotezë kjo që u hodh poshtë nga Mourinho, të paktën për momentin.
Top Channel