Mashtruan me shitjet e shtëpive, arrestohen burrë e grua në Shkodër

10/05/2018 18:07

Ndërtuesi Rrapush Hoxholli dhe bashkëshortja e tij Vjollca janë arrestuar nga policia, pasi gjykata e Shkodrës me një vendim të datës 8 maj të këtij viti ka vendosur për ta masën e sigurisë arrest me burg.

Bashkëshortët Hoxholli akuzohen për mashtrim me shitjen e apartamenteve, skemë e përdorur edhe më herët nga Hoxholli. Sipas hetimeve, Hoxholli e shiste më shumë se njëherë një apartament tek persona të ndryshëm.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim edhe e shtetasit D. L. 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet të ketë bashkëpunuar me shtetasit e lartëpermendur.

Kjo është hera e dytë që arrestohet Rrapush Hoxholli. Herën e parë, pronari i firmës ndërtuese “Gora” u arrestua në tetor të vitit 2015, pas shumë denoncimeve për shitje të një apartamenti disa herë personave të ndryshëm.

Hoxholli akuzohet edhe për marrjen e parave të klientëve të tij para se të ndërtoheshin pallatet, ndërkohë që nuk janë ndërtuar asnjëherë. Nuk dihet ende sesi ka mundur të përfitojnë lirinë Hoxholli, liri pas të cilës ka rinisur aktivitetin e tij të mashtrimit, tashmë duke u spostuar nga Durrësi e Tirana drejt Shkodrës.

Top Channel