Alvaro Morata mund të rikthehet te Juventusi. Sulmuesi spanjoll përjetoi një sezon të vështirë te Chelsea, në Premier League, e duket se ka ndërmend të largohet nga Londra, kjo edhe për arsye personale.
Në fakt, bashkëshortja e tij Alice, e cila shumë shpejt do të sjellë në jetë binjakët, nuk ndihet mirë në kryeqytetin anglez, ndërkohë që te Juventusi askush nuk e ka harruar Moratën.
Sipas asaj që publikohet te tabloidi “The Sun”, Juventusi po mendon që për Moratën të vërë në jetë të njëjtin plan si me Cuadradon, 3 vite më parë. Drejtuesit bardhezinj kërkojnë që të marrin Moratën në formë huazimi për 3 vite, me detyrim blerjeje për 60 milionë euro, e pagesa për kartonin e tij mendohet të bëhet për 3 vite.
Por, në këtë pikë Juventusi duhet të bëjë kujdes, pasi në garë për sulmuesin e Chelseat është përfshirë edhe Atletico Madrid.
“Los Colchoneros” po përgatiten për një të ardhme pa Griezmann dhe kanë hedhur sytë pikërisht nga Morata, me të cilin mendojnë të zëvendësojnë sulmuesin francez. Por, së fundmi, të interesuar për Moratën janë shfaqur edhe drejtuesit e Paris Saint Germain, që me sa duket do të largojnë Cavanin.
Top Channel