Boca Juniors e Carlos Tevezit ia del sërish mbanë. Skuadra nga Buenos Airesi u shpall kampione e Argjentinës për të dytin sezon radhazi.
Për Bocën mjaftoi barazimi 2-2 në fushën e Gimnasias, për të ruajtur avantazhin prej 4 pikësh kundrejt Godoy Cruzit të vendit të dytë, kur ka mbetur vetëm një javë nga fundi i sezonit.
Ky i këtij sezoni është titulli i 33-të kampion i Argjentinës në historinë e Boca Juniors, që drejtohet nga ish-trajneri i Palermos, Guillerme Barros Schelotto, një titull që do të thotë edhe pjesëmarrje në Kupën Libertadores.
Sezoni ishte fantastik për Bocën dhe këtë e tregojnë statistikat. Në 27 ndeshje të luajtura, skuadra e madhe argjentinase ka fituar 18, ka barazuar 3 dhe ka humbur 5. Fillimi ishte perfekt për Boca Juniors, që fitoi 8 ndeshje radhazi në javët e para të kampionatit, duke vendosur një rekord të ri për kampionatin argjentinas.
Për më tepër, Boca Juniors e këtij sezoni ishte skuadra me sulmin me të mirë, me 47 gola të shënuar, dhe protagonistë u bënë Benedetto (deri në momentin e dëmtimit), Pavon, Tevez apo Cardona. Po kështu, Boca Juniors bëri një punë fantastike edhe në mbrojtje, e këtë e tregon fakti që kjo skuadër pësoi vetëm 19 gola gjatë këtij sezoni.
Top Channel