Rafael Nadal e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin e tij drejt titullit të 6 në Turneun Masters të Madridit.
Tenisti spanjoll, kampioni në fuqi i këtij kompeticioni, i dha një leksion të mirë tenistit Gael Monfils, duke e mundur me rezultatin 2-0 për ta çuar në 19 numrin e fitoreve radhazi në fushat me dhè, pa humbur qoftë edhe një set.
Nadal i mbylli shumë shpejt llogaritë me Monfils, duke i fituar setet me rezultatin 6-3 dhe 6-1. Kjo ishte fitorja e 14 e Nadalit ndaj tenistit francez, në 16 përballjet e zhvilluara me të.
Novak Djokoviç nuk po mundet të shohë “dritë” në fund të tunelit. Tenisti serb pësoi një tjetër eliminim të parakohshëm, e në Madrid u mund nga britaniku Kyle Edmund me rezultatin 2-1, duke vërtetuar se është ende prapa të tjerëve në aspektin fizik.
Edmund fitoi setin e parë 6-3, por Djokoviç u kundërpërgjigj duke fituar të dytin 6-2. Në setin final ishte sërish britaniku ai që u shfaq më mirë, duke e fituar atë 6-3.
Për në 1/8-at e finaleve të Turneut Masters të Madridit u kualifikuan edhe Dominic Thiem e Alexander Zverev. Austriaku Thiem eliminoi argjentinasin Delbonis, të cilin e mundi në 3 sete, 2-1. Thiem e humbi setin e parë 4-6, por fitoi dy të tjerët 6-3 dhe 7-5, ndërsa Zverev eliminoi rusin Donskoy, të cilin e mundi pastër 2-0, me sete 6-2 dhe 7-5.
Top Channel