Shitja e një pikture nudo të Pikasos nga shtëpia e ankandeve “Christie’s” për 115 milionë dollarë ishte fillimi i asaj që shumë ekspertë e quajnë “shitja e shekullit”: nxjerrja në ankand e rreth 1000 vepra arti nga koleksioni i David dhe Pegi Rokefeller.

Tre ankandet e para në Nju Jork, të mbajtura të martën, mblodhën rreth 646 milionë dollarë, duke shitur vepra të shekullit XIX dhe XX.

Ndërkohë që shitja vazhdon deri më datë 11 Maj, ky është shënuar si koleksioni më i vlefshëm i nxjerrë ndonjëherë në ankand.

Rekordi mbahej nga koleksioni i Yves Saint Laurent dhe Pierre Berge, me më shumë se 700 piktura, që u shit për 484 milionë dollarë në vitin 2009.

David dhe Pegi Rokefeller e kishin blerë “Nymphéas en fleur” nga tregtarja pariziene e artit, Katia Granoff, në vitin 1956. Ajo vepër vendosi një rekord të ri botëror për artistin. Vlerësimi fillestar në ankand: 50 milion dollarë. Shitja: 84.6 milionë. Foto nga: Christie’s

Koleksioni i mbledhur gjatë një jete pasqyron shijen e larmishme të Rokefellerve, që nga impresionizmi e deri te arti i porcelanit kinez.

Vepra e Pikasos, “Fillette à la corbeille fleurie” (1905), vlerësohej 100 milionë dollarë dhe u shit për 115 milionë. Vepra e Periudhës Rozë (koha kur Pikasoja përdorte portokallì dhe rozë për t’i bërë kontrast blusë dhe ngjyra të errëta), ka qenë dikur pronë e Gertrude Stein dhe përmendet në biografinë “A Moveable Feast” të Ernest Heminguejit.

Pablo Pikaso, “Fillette à la fleurie” Foto nga “Christie’s”

Shitja vendosi disa rekorde botërore për artistët. Piktura e Henri Matisse, e quajtur “Odalisque couchée aux magnolias” (1923), ishte vlerësuar të shitej për 70 milionë dollarë dhe u shit për 80.7 milionë. Vepra më e shtrenjtë e Matisse që ishte nxjerrë në ankand para shitjes së Rokefellerve ishte “Les coucous, tapis bleu et rose,” e vitit 1911, e cila u shit në vitin 2009 për 46.4 milionë dollarë.

Një tjetër rekord i ri botëror ishte “Nymphéas en fleur (1914-1917)” e Claude Monet, e cila u vlerësuar 50 milionë dollarë dhe u shit për 84.7 milionë. Piktura mbahej varur në shkallët e hollit të një prej shtëpive të Rokefellerve. Çmimi më i lartë që është paguar për një vepër të Monet në ankande ka qenë 81.4 milionë, në vitin 2016.

David Rokefeller vdiq në Mars të vitit të shkuar. Bankieri dhe bamirësi i njohur ka dhuruar rreth 2 miliardë dollarë në institucione si Universiteti Rockefeller, Universiteti Harvard dhe Muzeu i Artit Modern.

Shitja e koleksionit do të jetë vazhdim i këtyre bamirësive. Fitimet do të shkojnë për disa institucione të përzgjedhura bamirësie, të cilat çifti i ka mbështetur gjatë gjithë jetës.

FOTO GALERI
1/8
Arti në shtëpinë e Rokefellerve

Top Channel