Skënderbeu është zyrtarisht kampion i këtij sezoni në kategorinë Superiore duke siguruar titullin e tij të tetë, kur kanë mbetur edhe 3 javë nga mbyllja e kampionatit, duke u kthyer të titulli pas një viti mungesë.

Gjithçka u bë zyrtare pas humbjes 3-2 të Kukësit në Durrës ndaj Teutës.

Skuadra e Ilir Dajës iu përgjigj thirrjes së presidentit Takaj dy ditë më parë në mbledhje, për të fituar titullin që këtë javë, duke fituar fillimisht 2-4 në Lushnjë dhe më pas duke nisur festën pas fitores së Teutës ndaj Kukësit në ‘Niko Dovana’.

Tashmë Skënderbeu ndodhet 11 pikë para Kukësit të vendit të dytë, ndërsa në lojë kanë mbetur vetëm 3 javë dhe rrjedhimisht 9 pikë për t’u diskutuar.

Ky ishte një titull tërësisht i merituar për Skënderbeun, që dominoi totalisht në kampionat, duke filluar nga java e parë.

Ky është titulli i 8 kampion për Skënderbeun, ndërkohë, më 27 Maj korçarët do të diskutojnë edhe finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, duke pasur mundësinë që të fitojnë për herë të parë edhe këtë trofe.

Top Channel