Lëvizje tek Krimet e Rënda, Arta Marku largon prokurorin e dosjes “Tahiri”

09/05/2018 15:26

Pas drejtimit tre-vjeçar të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj u zëvendësua me shoqen e shkollës së Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, e cila për pak muaj u promovua prej saj si kryeprokurore e Durrësit.

Donika Prela, vjen në Tiranë për të drejtuar prokuroret e godinës së qelqtë, pikërisht në kulmin e diskutimeve dhe pritshmërive mbi fatin e dosjes “Tahiri-Habilaj”.

Caktimi i Donika Prelës në krye të Krimeve të Rënda vjen gjithashtu një ditë pas skandalit të grabitjes së sekretit hetimor, ku korrierit të Prokurorisë Durrës ju rrëmbyen akte hetimore për të cilat nuk ka ende një inventar zyrtar dhe publik se çfarë u rrëmbye gjatë kësaj ngjarjeje të paprecedente për institucionet e drejtësisë.

Por ndërsa la pas një ngjarje të pazbardhur, prokuroren Prela e pret testi i dy dosjeve pavarësisht se në kuadër të reformës thuhet se prokurorët janë të pavarur nga vullneti i eprorit. E para është dosja e ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, për të cilin Donika Prela në fund të muajit prill shpalli në Durrës mos kompetencën për hetimin e kësaj çështjeje duke ja kaluar Krimeve të Rënda.

Tashmë kjo dosje e pret prokuroren Prela në kryeqytet për të kuptuar më qartë nëse do të ajo do luaje ping-pong. Dosja tjetër akoma më e ndjeshme është ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, e cila gjendet në kulmin e veprimeve hetimore të grupit prej 6 prokurorësh.

Mes prokurorëve të kësaj dosjeje është edhe Besim Hajdarmataj. Tashmë që janë pyetur jo pak shtetas si dhe kryer dhjetëra veprime hetimore, pasi Saimir Tahiri la mandatin e deputetit, diskutimi më i rëndësishëm i prokurorëve ngelet nëse do t’i drejtohen apo jo gjykatës për masë sigurie.

Për shkak të një qëndrimi të mëparshëm të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në këshill të mandateve, kjo vendimmarrje u perceptua këto ditë si çështje orësh. Me lëvizjen më të fundit dhe që pritej për shkak të marrëdhënieve të ftohta mes Markut dhe Hajdarmatajt, tashmë ky i fundit do të vazhdojë karrierën si prokuror i thjeshtë tek Krimet e Rënda.

Por është e paqartë nëse ky shkarkim do të pasohet edhe me largimin e tij nga dosja “Tahiri”. Dyshimet ngelen për sa kohë zyra e shtypit e Arta Markut e argumenton si një ndryshim që ka për qëllim përshpejtimin e hetimeve sensitive.

“Kemi besim, thuhet ne njoftimin zyrtar, se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë e më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë”. Por ky qëndrim i organit qendror të akuzës nuk ka asnjë pikëtakimi me një tjetër të shpërndarë për mediat gjatë muajit janar, atëherë kur disa javë pasi Arta Marku kishte marrë drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme pas një takimi me Hajdarmatajn u shpreh besimplotë dhe mbështetëse ndaj Krimeve të Rënda dhe për çdo nivel të hetimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA