Mbrëmjen e kësaj të mërkure, në “Olimpico” të Romës luhet finalja e Kupës së Italisë, që do të shohë Juventusin e Milanin të vihen përballë njëri-tjetrit. Një sfidë kjo, që ka rëndësi për të dyja skuadrat.
Në rast fitoreje të kësaj finaleje, Juventusi ka mundësinë ta mbyllë sezonin me dy trofe, ndërsa Milani do të kërkojë të fitojë trofeun e tij të parë nën drejtimin e pronarëve të huaj.
Për më tepër, një sukses mbrëmjen e sotme i jep të drejtën Milanit të Gattusos të marrë pjesë në Europa League, duke u kualifikuar drejtpërdrejt në fazën e grupeve.
Kjo do të jetë edhe finalja e protagonistëve të tillë si Allegri, për të cilin ky mund të jetë trofeu i parafundit me Juventusin përpara se të shkojë te ndonjë skuadër tjetër, ndërkohë që pret atë të kampionit të Italisë. E njëjta histori edhe për Gianluigi Buffon, që do të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur.
Kjo e sotmja do të jetë përballja e 24-t mes Juventusit dhe Milanit në Kupën e Italisë. Bardhezinjtë kanë 10 fitore kundrejt 7 të kuqezinjve, ndërsa 7 sfida kanë përfunduar në barazim. Kjo do të jetë hera e pestë që Juventusi e Milani luajnë në finalen e Kupës. Në 4 sfidat e mëparshme, Juventusi e ka fituar 3 herë trofeun, ndërsa Milani iu është imponuar torinezëve vetëm një herë.
Po të përfshijmë edhe Superkupën e Italisë dhe Champions League, rezulton se të gjitha finalet e luajtura mes këtyre dy skuadrave kanë përfunduar në kohë shtesë, e në vetëm njërën prej tyre fituesi nuk është përcaktuar nga 11-metërshat.
Juventusi është skuadra që ka fituar më shumë herë Kupën e Italisë, plot 12. Ndërsa Milani e ka ngritur trofeun e këtij kompeticioni 5 herë, më e fundit në vitin 2003.
Top Channel