Luhen sot ndeshjet e javës së 33-të të Katëgorisë Superiore, nga e cila mund të vendosen disa nga verdiktet përfundimtare për këtë sezon, nga titulli kampion tek mbijetesa dhe zona evropiane.

Skënderbeu do të luajë me Lushnjen, ndaj së cilës do të kërkojë të harrojë 2 humbjet radhazi me Kukësin e Laçin që nuk e lejuan të festojnë titullin e 8 kampion. Ky është shansi i tretë për Skënderbeun që të mbyllë njëherë e mirë llogaritë, por një fitore e mundshme e kësaj skuadre duhet të shoqërohet edhe me një barazim apo humbje të Kukësit ndaj Teutës, me këtë të fundit që është ende në luftë për mbijetesë. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi të Kukësit e kanë praktikisht të blinduar vendin e dytë në kampionat.

Në Gjirokastër, Luftëtari do të presë Partizanin në sfidën e tyre për një vend në Europa League. Gjirokastritët janë në vendin e tretë, me 5 pikë më shumë sesa Partizani. Llogaritë në këtë sfidë janë të hapura dhe të dyja skuadrat do të kërkojnë të marrin 3 pikët, për më tepër që “Të Kuqtë” vijnë pas 3 ndeshjeve pa fitore.

Zona europiane është në lojë edhe në sfidën që do të luhet në “Elbasan Arena” mes Flamurtarit e Laçit. Skuadra vlonjate, pas ndëshkimeve që mori nga FSHF, nëse fiton këtë ndeshje me Laçin do ta parakalojë atë për ta bërë akoma më të ndezur luftën për pjesëmarrjen në Europa League, por në rast humbjeje do të komplikojë situatën e saj për zonën e “ftohtë”.

Rëndësi të veçantë do të ketë edhe sfida mes Vllaznisë dhe Kamzës, pasi në lojë është qëndrimi në Kategorinë Superiore për këto skuadra. Nëse shkodranët fitojnë, do të parakalojnë Kamzën dhe do të lënë për momentin zonën e rënies nga kategoria; në rastin e kundërt, Kamza do ta shohë veten në pozita akoma më të forta përsa i përket mbijetesës.

Top Channel