Fuqitë europiano-perëndimore thonë se mbeten të angazhuara ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin, pasi Shtetet e Bashkuara deklaruan se do të tërhiqeshin prej saj.
Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania thanë se do të punojnë me palët e mbetura dhe nxitën Amerikën që të mos pengojë implementimin e marrëveshjes.
Firmëtarët e tjerë të paktit të vitit 2015, Rusia dhe Kina theksuan gjithashtu mbështetjen e tyre për marrëveshjen.
Qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, përmes një komunikate të përbashkët thanë se largimi i Shteteve të Bashkuara nuk ndryshon qëllimin e tyre dhe të marrëveshjes, ndaj dhe do të vazhdojnë të punojnë për këtë.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe qeveria iraniane, e cila tha se po punon që të shpëtojë marrëveshjen pa pjesëmarrjen amerikane. Presidenti iranian, Hassan Rouhani tha se do të punojë me vendet europiane, Rusinë dhe Kinën për të ruajtur paktin bërthamor.
E gjithë kjo rrëmujë u shkaktua nga vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja, e cila sipas tij ishte e tmershme, e njëanshme dhe nuk duhej të ishte firmosur kurrë.
Trump tha se pakti, jo vetëm që kufizon shumë pak aktivitetin bërthamor të Iranit, por nuk bën asgjë për të ndaluar aktivitetet e tjera armiqësore të këtij vendi në Jemen, Siri dhe zona të tjera. Trump e cilësoi marrëveshjne një gabim historik, ndërsa në vitin 2015 ajo ishte cilësuar një arritje historike.
Me përjashtim të Izraelit, që përshëndeti vendimin e Trumpit, çdo vend apo organizëm tjetër ka shprehur keqardhjen për tërheqjen amerikane, që sidoqoftë nuk u ndal.
Por, telashet e tërheqjes së Amerikës nuk kanë nisur ende mirë, pasi rikthimi i sanksioneve të ashpra ekonomike amerikane ndaj Iranit do të frenojë këdo që do të dojë të bëjë tregti me Republikën Islamike, pasi do t’i duhet që të shkelë sanksionet.
Top Channel