Avokati i Trumpit është paguar nga firma e lidhur me oligarkun rus

09/05/2018 09:53

Avokati personal i presidentit Donald Trump mori një pagesë prej 500 mijë dollarësh nga një firmë që ka lidhje me një oligark rus.

“New York Times” shkruan më tej se, sipas dosjeve financiare, kompania e krijuar nga Michael Cohen u pagua gjithashtu pas zgjedhjeve të vitit 2016 nga korporata që kërkonin miratim nga administrata për biznesin.

Avokati Cohen pagoi gjithashtu një aktore filmash për të rritur, që pretendon se pati një lidhje me Trumpin, në mënyrë që të mos tregonte.

Kompania e Cohen, “Essential Consultants” mori vitin e shkuar gjysmëmilioni dollarë nga “Columbus Nova”, një kompani investimesh me bazë në Nju Jork që ka lidhje me oligarkun rus, Viktor Vekselberg.

Megjithatë, pas publikimit të raportit në medie, kompania e investimeve tha se paratë për Cohen ishin pagesë për konsulta dhe nuk kishin asnjë lidhje me miliarderin rus.

Dokumentet e publikuara nga “New York Times” tregojnë se Cohen mori edhe 200 mijë dollarë nga kompania “AT&T”, kur kjo e fundit kërkonte miratimin e Trumpit për të blerë “Time Warner”. “AT&T” thotë se pagesa u bë për të pasur më shumë informacione për politikat e qeverisë së re dhe jo për përfitime të padrejta.

Muajin e shkuar, FBI-ja sekuestroi shumë dokumente nga zyra e Cohen, pas kërkesës së prokurorit special Robert Mueller, i cili po heton përfshirjen ruse në zgjedhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA