Allegri nuk fsheh entuziazmin: Sezon perfekt, merituam gjithçka

09/05/2018 23:41

Mjaft i kënaqur është shfaqur trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, jo vetëm për trofeun e parë sezonal të fituar, por edhe me paraqitjen e futbollistëve të tij në fushën e lojës.

“Ishte trofeu i parë sezonal dhe jemi shumë të lumtur. Djemtë zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, duke dominuar totalisht dhe merituar gjithçka. Pas një sfide të tillë duhet festuar, por kam qenë gjithmonë i bindur se nëse impenjohemi seriozisht, është e vështirë për cilindo kundërshtar”, deklaroi Allegri.

Më pas tekniku bardhezi ka vlerësuar edhe lojën e Milanit, që për 60 minuta ishte vendosur mirë në fushë dhe nuk linte hapësira për sulmin e Juventusit.

“Finalet duhen lexuar me qetësi. Në fillimi nuk kishim hapësira për të sulmuar, kjo edhe falë vendosjes së mirë të Milanit, por shtuam presionin gradualisht, duke e ditur se do të vinte koha për të goditur. Pas golit të parë na u krijuan shumë hapësira dhe bëmë atë që deshëm në fushën e lojës”, u shpreh trajneri i Juventusit.

Top Channel