“Play off”-et e NBA, Cleveland kualifikohet në finalen e Lindjes

08/05/2018 10:00

Cleveland është skuadra e parë finaliste e Konferencës së Lindjes, në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.

“Cavaliers” fituan edhe ndeshjen e katërt me Toronton, 128-93, duke e mbyllur serinë e përballjeve me “Raptors” me rezultatin 4-0. Skuadra kanadeze nuk mundi të rezistojë për shumë kohë ndaj lojës së Clevelandit, duke e mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme këtë gjysmëfinale.

Në “Quicken Loans Arena”, ndeshja mes Clevelandit dhe Torontos nuk pati shumë histori. Skuadra nga Ohio ishte dominuese në këtë përballje për pjesën më të madhe të kohës, e në fund e mbylli sfidën me një avantazh prej 35 pikësh.

James ishte ai që mori përsipër të drejtojë “Cavaliers”-at drejt këtij suksesi, me 29 pikë e 11 topa në tabelë. Tani, Cleveland pret kundërshtarin e tij për finalen e Konferencës së Lindjes, që do të dalë nga sfida mes Bostonit dhe Philadelphias. Kjo e fundit fitoi ndeshjen e katërt ndaj “Celtics” me rezultatin 103-92, duke e shkurtuar në 3-1 disavantazhin në serinë e përballjeve me këtë skuadër.

Kjo përballje nisi më mirë për Bostonin, që mori kryesimin deri në 6 pikë, por Philadelphia reagoi falë formës së shkëlqyer të Joel Embiid, duke mos lejuar “Celtics” të prekin finalen e Lindjes, e duke i dhënë disi shpresa vetes për ndonjë përmbysje të rezultatit.

Në një moment të sfidës, Philadelphia arriti të krijojë një avantazh deri në 18 pikë diferencë, e në fund doli e fituar. Për “76ers” spikati Dario Sariç me 25 pikë, ndërsa te Bostoni nuk mjaftuan 20 pikët e Jayson Tatum për të prerë biletën e finales, ndërsa tani do të duhet të luajë sfidën e pestë me Philadelphian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA