Nga Championsi, te merkatoja dhe e ardhmja e Spallettit e Icardit, rrëfehet Ausilio

08/05/2018 01:12

Me sezonin drejt përfundimit, Drejtori Sportiv i Interit, Piero Ausilio vlerësoi pozitivisht këtë vit të zikaltërve, pavarësisht nëse do t’ia dalin të shkojnë në Champions apo jo.

Ai tha se projekti i Suning për ringritjen e Interit po shkon plotësisht sipas pritshmërive, ndërsa Championsi thjesht do të sillte ca miliona më shumë.

“është e vërtetë që do të donim të shkonim në Champions, për të fituar ca miliona më shumë, por kjo nuk cënon aspak projektin e Suning për Interin. Jemi në rrugën e mbarë dhe këtë sezon kemi bërë mjaftueshëm mirë. kemi grumbulluar 13 pikë më shumë se sezonin e kaluar, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi dhe mund të marrim edhe 6 të tjera”, deklaroi Ausilio.

Me merkaton në prag, nuk mund të mungonin edhe komentet e njeriut që ka për detyrë të përforcojë skuadrën zikaltër, i cili këtë herë zgjodhi të ‘ndezë’ fantazinë e tifozërisë.

“Do të vijojmë punën me Spallettin, pasi jemi të kënaqur me atë që ka dhënë ai dhe profesionalizmin që ka dëshmuar. Përpara kemi dy tratativa të rëndësishme si ajo e Cancelos dhe Rafinhës, të cilët duam t’i mbajmë në skuadër, nëse respektojmë kushtet ekonomike. Për të ardhmen e Icardit nuk vë dorën në zjarr, por kemi edhe 3 vite kontratë dhe duam ta respektojmë. Më pas në verë kemi planifikuar afrimin e ndonjë lojtari me emër, në moshë të re dhe me mundësisht nga ndonjë klub i madh”, deklaroi Ausilio.

Top Channel