Kokainë mes frutave dhe perimeve, arrestohet pronari shqiptar i një dyqani në Itali

08/05/2018 14:07

Dyqani i fruta-perimeve ishte qendra e shpërndarjes së kokainës. Sipas mediave italiane në Rimini është organizuar operacioni antidrogë i koduar “Frutta market”, ku në pranga janë vënë gjashtë persona.

Gjurmimi nisi pas një hetimi të mëparshëm të 2016, ku u arrestuan tre shpërndarës në provincën e Trentos. Mes përgjimeve flitej për fruta e perime të lidhura me numra të ndryshëm telefoni, që çoj në një fill të dytë hetimesh.

Autoritetet italiane nisën përgjimet dhe ndjekjen duke dokumentuar shitjen e drogës rreth një dyqani fruta perimesh në Rimini.

Mediat italiane shkruajnë se droga vinte nga Spanja përmes Francës, dhe më pas ndahej për tu shitur me pakicë. “Kokainë, hashash, marijuanë dorëzoheshin në market, në pronësi të një shqiptari, ky i fundit kishte edhe një kushëri të njohur nga policia për krime të lidhura me drogërat. Figura kryesore e grupit ishte një siçilian që vepronte mes Riminit, Forli, Cesenatico e Cervia”, thuhet më tej.

Top Channel