Për t’iu kundërvënë rritjes së populizmit dhe të euroskepticizmit brenda Bashkimit Europian, udhëheqësit e 28 vendeve anëtare kanë ndërmarrë një fushatë të pazakontë takimesh me qytetarët për t’u njohur me problematikat që i shqetësojnë.
Në Gjermani, Angela Merkel e nisi nga Berlini fushatën e saj të dëgjesave, që do të përqendrohen kryesisht tek të rinjtë.
“Do të përpiqemi që të jemi në kontakt me sa më shumë njerëz”, deklaroi kancelarja.
Ideja e takimeve të tilla është propozuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron. “Unë e mirëprita me dëshirë këtë propozim”, shtoi më tej Merkel.
Takimet do të përshkallëzohen në muajt e vjeshtës. Synimi është që në fund të këtij procesi të dilet me një platformë të përbashkët, të paktën në Francë e Gjermani për të promovuar edhe më tej vlerat dhe standardet e Bashkimit Europian.
Me Parisin, Angela Merkel thotë se Berlini ndan shumë gjëra të përbashkëta.
“Për çështjet europiane dhe politikat e jashtme, Gjermania dhe Franca janë në të njëjtin pozicion”, thotë Merkel.
Ndasitë lidhen me politikat monetare dhe Euron.
“Kemi ndonjëherë qëndrime të ndryshme në këtë pjesë, por që nuk janë të kundërta”, deklaron kancelarja gjermane.
Top Channel