Vitin e shkuar, Presidenti i Kinës, Xi Jingping, mirëpriti 29 udhëheqës botërorë në Pekin që të përurohej nisma “Një brez, një rrugë”, që është në fakt lëvizja e tij më ambicioze në politikën e jashtme.

Nisma e krijuar në vitin 2013 përfshin miliarda dollarë investime nga Kina për të përmirësuar infrastrukturën rrugore në vendet përgjatë Rrugës së Mëndafshit, e cila lidh Kinën me Europën. Ambicia është e stërmadhe. Kina i bie të shpenzojë 150 miliardë dollarë në vit në 68 vende që kanë nënshkruar për këtë skemë.

Samiti (i quajtur forum) tërhoqi numrin më të madh të udhëheqësve botërorë në Pekin, që nga viti 2008, kur u bënë lojërat olimpike. Megjithatë, pak ishin udhëheqësit e Europës perëndimore që morën pjesë. Shumica i kanë shpërfillur nënkuptimet e kësaj nisme nga Kina. Por cilat janë këto nënkuptime, dhe a ka të drejtë Perëndimi të tregohet kaq i ftohtë?

Projekti është shprehja më e madhe e Xi-së për të ndërprerë idenë e Deng Xiaoping “për të fshehur kapacitetet reale të Kinës e për të fituar kohë për zhvillim, pa u përpjekur kurrë të dalin në krye”. Forumi për nismën “Një brez, një rrugë”, ishte ngjarja e dytë e madhe që organizoi presidenti Xi për të treguar synimin e Kinës për të udhëhequr botën në ekonomi. Shfaqja e parë ishte një fjalim kundër proteksionizmit, në Forumin Botëror për Ekonominë që u mbajt në Davos, në Janar 2017.

Në vitin 2014, Vang Yi, Ministri i Jashtëm i Kinës, tha se kjo nismë ishte vendimi më i rëndësishëm i presidentit Xi në politikën e jashtme. Qëllimi kryesor është të kthejë Euroazinë, (ku Kina mbizotëron) në një zonë tregtare dhe ekonomike që mund të konkurrojë transatlantiken (ku mbizotëron Amerika).

Pas kësaj strategjie fshihen një sërë motivimesh dytësore, të cilat, ngaqë janë aq shumë, dhe aq të larmishme, ngjallin mosbesim për koherencën dhe zbatimin e këtij projekti. Duke investuar në infrastrukturë, Xi shpreson të gjejë një shtëpi më të madhe për rezervat e pamata të Kinës, shumica e të cilave flenë në trajtën e bonove për qeverinë amerikane, me interes shumë të ulët fitimi. Ai gjithashtu shpreson të krijojë tregje për kompanitë e shumta kineze, që nga kompanitë që ndërtojnë hekurudha me shpejtësi të lartë, e deri te ato që eksportojnë produkte në të cilat Kina ka kapacitet të lartë, si çimentoja, çeliku dhe metale të tjera.

Duke investuar në vende të paqëndrueshme të Azisë Qendore, Xi pret të stabilizojë situatën me fqinjët e provincave të trazuara të vetë Kinës, Xinjiangu dhe Tibeti. Duke shtyrë më shumë projekte kineze rreth Detit të Kinës Jugore, kjo nismë mund të përforcojë qëndrimin e Kinës për territoret që synon në ato zona. Rruga, në togfjalëshin “Një brez, një rrugë”, i referohet në fakt kurseve detare. Problemi është që këto ambicie bien ndesh me disa të tjera, si p.sh, a janë investimet në vendet e paqëndrueshme të Azisë Qendore ide më e mirë se bonot e qeverisë amerikane?

Këto motivime të ndryshme krijojnë edhe konflikte interesi. Ka përplasje të brendshme midis institucioneve më të rëndësishme në Kinë, të përfshira në projekt, që nga Ministria e Tregtisë, ajo e jashtme, e deri te komisionet e planifikimit të provincave kineze.

Për më keq, Kina po has vështirësi për të gjetur projekte fitimprurëse në shumë vende të përfshira nga projekti “një brez, një rrugë”. Disa biznesmenë në Azinë Qendrore e quajtën “Një brez, një kurth”. Si për t’i vënë kapak, Kina po përballet me kritika edhe për faktin se disa nga planet e projektit janë miratuar nga ish udhëheqësit autoritarë në vende si Sri Lanka e Mianmari, ku qeveritë e sotme, të zgjedhura nga populli, po përpiqen t’i rinegociojnë ose t’i rrëzojnë.

Si pasojë, forumi mund t’i ketë dhënë z.Xi më shumë kritika. Kjo mund të ketë qenë arsyeja se pse shumë udhëheqës europianë parapëlqyen t’i qëndrojnë larg. Por dyshimet se projekti mund të mos ketë sukses kanë shumë mundësi të jenë të gabuara. Presidenti Xi ia ka nevojën kësaj nisme sepse ka investuar shumë për të. Kina ia ka nevojën sepse i jep përgjigje shumë problemeve ekonomike. Dhe Azia Qendrore ia ka nevojën, për shkak të etjes së stërmadhe për investime në infrastrukturë. Nisma “Një rrugë, një brez” ka shumë probleme, por presidenti Xi duket i vendosur për ta vazhduar.

Nga J.P, The Economist, Pekin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA