Dhuna në Vlorë, Shoqata e Arbitrave kërkon ndëshkim maksimal për organizatorët

07/05/2018 12:18

Ngjarjet e shënuara në fundjavë pas ndeshjes Flamurtari-Vllaznia, e vlefshme për javën e 32-të të Kategorisë Superiore, janë dënuar edhe nga Shoqata e Arbitrave të Shqipërisë (BASHF).

“Dhuna e ushtruar në stadiumin e Vlorës, në përfundim të ndeshjes Flamurtari-Vllaznia, ku arbitri i ndeshjes dhe zyrtarët janë goditur nga persona pranë presidentit të klubit dhe nën shoqërinë e tij, për fat të keq regjistron një tjetër akt shumë të dënueshëm e antisportiv karshi arbitrave të futbollit”, thuhet në reagimin e shoqatës në fjalë.

“Shoqata e Arbitrave të Shqipërisë e denoncon me forcë këtë ngjarje të shëmtuar dhe shumë të rëndë, e cila vjen pas një presioni në rritje, javë pas jave karshi arbitrave, në fushat e futbollit dhe jo vetëm”, vijon më tej protesta e shoqatës që mbron interesat e arbitrave.

Në deklaratë kërkohet zbardhja e plotë e ngjarjes në Vlorë nga ana e autoriteteve përkatëse, për të identifikuar dhe për të vënë përpara përgjegjësisë personat që goditën arbitrin Ilir Tartari dhe zyrtarët e takimit.

“Këto akte aspak civile dhe tepër të dënueshme kërkojnë ndëshkim jo vetëm nga drejtësia sportive. Asnjë gjë nuk mund të përligjë, kurrsesi, përdorimin e dhunës karshi arbitrave e kujtdo në një ambient sportiv. Presioni i vazhdueshëm psikologjik karshi arbitrave, këtë radhë në Vlorë degradoi në dhunë fizike dhe ky rast ekstrem kërkon ndëshkim maksimal për ideatorët dhe autorët e tyre”, mbyllet reagimi i BASHF-së.

Top Channel