Shtetet e Bashkuara do të përballen me një keqardhje historike nëse zgjedhin të heqin dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Paralajmërimi i presidentit iranian, Hasan Rouhani vjen në kohën që po afron afati i 12 majit kur shefi i Shtëpisë së Bardhë duhet të dalë me një vendim të qartë.
Ngërçi i krijuar detyroi sekretarin e Jashtëm britanik, Boris Johnson të udhëtojë drejt Uashingtonit për ta diskutuar çështjen nga afër.
Trump e cilëson marrëveshjen një “çmenduri” e kërcënon të largohet prej saj nëse brenda javës – që nënkupton fundin e periudhës 120 ditore të rishikimit – kongresi dhe fuqitë europiane nuk do të kenë ndrequr ato që ai i cilëson si “mangësi katastrofike të saj“.
Por Rouhani kundërpërgjigjet me pretendimin se republika islamike e ka planin e saj për t’i bërë ballë një lëvizjeje të tillë të presidentit amerikan.
Irani e lidhi marrëveshjen atomike në korrik 2015 me pesë fuqitë me të drejtë vetoje në OKB: SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britani e Madhe si dhe me Gjermaninë. Pakti që e lehtësonte regjimin e ajatollahëve nga sanksionet gjunjëzuese ekonomike në këmbim të frenimit të programit bërthamor, do të hynte në fuqi janarin e një viti më pas.
Top Channel