Trajneri i Interit, Luciano Spalletti i doli në mbrojtje Davide Santonit, duke thënë se është gabim që të kritikohet vetëm një lojtar për humbjen ndaj Juventusit.

“Më vjen keq që të gjitha kritikat i hëngri ai sepse bëri atë që duhej, ashtu si gjithë skuadra. Nuk është faji i tij humbja. Nëse duam ta analizojmë me korrektësi ndeshjen, duhet të marrim në konsideratë shumë gjëra, jo vetëm disa episode”, deklaroi trajneri zikaltër.

Interi po kryesonte 2-1 ndaj bardhezinjve kur duheshin edhe pak minuta nga fundi, kur Spalletti vendosi të zëvendësonte Icardin me mbrojtësin Santon. Dy gabime të tij bënë që Juventusi të përmbyste gjithçka dhe të fitonte 2-3 në San Siro.

Në lidhje me shpresat e Interit për të kapur vendin e katërt, Spalletti tha: “Edhe pse varemi nga të tjerët (Roma dhe Lazio), ne duhet t’i luajmë ndeshjet duke menduar se vendi i katërt varet nga ne. Nëse i fitojmë 3 takimet që na kanë mbetur, unë mendoj se do të hyjmë në Champions”.

Top Channel