Ndizet lufta për mbijetesë! Teuta shtang Partizanin, Vllaznisë i rrëshqasin dy pikë

05/05/2018 20:56

Teuta ka shtangur Partizanin në ndeshjen e zhvilluar në “Selman Stermasi”. Durrsakët u larguan nga kryeqyteti me tri pikë të arta në luftën për mbijetesë, ndërsa Partizani rrezikon të mbetet jashtë kupave të Europës.

“Demat e kuq” e nisën mirë takimin dhe pas çerek ore lojë fituan një 11-metërsh, të shndërruar në gol nga Batha.

Teuta iu përgjigj me Çyrbjën në minutat e fundit të fraksionit të parë, duke shkuar në dhomat e zhveshjes në barazim 1-1.

Në të dytën pritej reagimi i Partizanit, por ka ndodhur e kundërta. Fillimsht Hrkac dhe më pas Hila u dhanë fitoren 3-1 durrsakëve, që mbeten në vendin e parafundit, por me 37 pikë, po aq sa Vllaznia dhe dy më pak se Kamza.

Ndërkohë, Vllaznia humbi 2 pikë në Vlorë. Shkodranët, pasi më parë shpërdoruan një 11-metërsh, panë që t’i zhvlerësohej nga 3 në një pikë goli i shënuar nga Ribaj në minutën e 84, pasi vlonjatët barazuan 1-1 në minutat e kohës shtesë.

Top Channel