Një dramë e vënë në skenë nga trupa amatore e një ndërmarrjeje, i ka dhënë jetë premierës “Komedia që shkon për dreq”, e cila u shfaq mbremjen e se premtes premiere në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Me regji të Driada Dervishit, trupa teatrale, që bashkoi emra të njohur të skenës shqiptare, solli para publikut artdashës një komedi farsë plot humor.

Finesës së humorit anglez iu shtua fuqia interpretative e aktorëve Gentian Zenelaj, Monika Lubonja, Romir Zalla, Bujar Asqeriu, etj.

Publiku që mbushi sallën ka qeshur jo vetëm me batutat, po dhe me lëvizjet e pamenduara të aktorëve “amatorë”. Një i vdekur që reagon e hyn në skenë, jo në momentin e duhur, për të demaskuar një tjetër krim, një e fejuar që dashuron vëllain e viktimës dhe harron tekstin, një aktor që trukohet si grua për të mbuluar incidentin e aktores dhe gjithçka shkon për dreq në shfaqjen e trupës amatore. Po për aktorët profesionistë dhe regjisoren, premiera ishte një sukses i vërtetë. E gjithë trupa mori duartrokitjet e publikut durrsak dhe atij të ardhur nga Tirana në Durrës.

Komedia do të shfaqet gjate fundjaves dhe të hënën në teatrin “A.Moisiu”.

Top Channel