Kategoria Superiore, java e 32-të me në fokus mbijetesën dhe Europën

05/05/2018 11:09
Foto ilustruese

Këtë të shtunë luhen të gjitha ndeshjet e javës së 32-të të Kategorisë Superiore, teksa vëmendja më e madhe do të jetë e përqëndruar te sfidat e skuadrave që janë në garë për zonën e kupave europiane dhe për mbijetesën.

Sfida që spikat më shumë në këtë javë të kampionatit është ajo mes Partizanit dhe Teutës. “Të kuqtë”, që vijnë pas 3 ndeshjeve radhazi pa fitore, do të kërkojnë të kthejnë situatën e tyre dhe të rindezin shpresat për një vend në zonën europiane, pasi diferenca me Luftëtarin e vendit të tretë është 4 pikë.

Në krahun tjetër, Teuta ka si objektiv qëndrimin në Kategorinë Superiore dhe do të kërkojë të marrë maksimumin ndaj kryeqytetasve për të qëndruar në lojë.

Po kaq delikate është sfida mes Flamurtarit dhe Vllaznisë. Skuadra vlonjate është 7 pikë larg dhe një fitore e mundshme, jo vetëm që i jep qetësinë, por edhe mund ta afrojë sërish me zonën europiane.

Në pritje të finales së Kupës së Republikës, më 27 maj, Laçi dhe Skënderbeu do të bëjnë llogaritë e kampionatit. Për kurbinasit, zona e kupave të Europës është shumë pranë dhe ka dy rrugë për ta arritur këtë, me fitoren e Kupës, ose me vendin e 4-t në klasifikim.

Skënderbeu nga ana e tij i ka mbyllur praktikisht llogaritë për titullin dhe festimet për të janë thjesht çështje kohë. Matematikisht, Skënderbeu mund të festojë që këtë findjavë titullin e tij të 8, por skuadra e Dajës, përveçse duhet të fitojë ndaj Laçit, duhet të shpresojë edhe në një fitore të Lushnjes ndaj Kukësit, gjë që në letër duket se ka shumë pak gjasa të ndodhë.

Skuadra verilindore duket e qetë në vendin e dytë, duke qenë se diferenca me Luftëtarin është 8 pikë.

Top Channel