Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi u shfaq mjaft i tensionuar në përfundim të takimit mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, ndeshje e mbyllur në barazim 1-1.

Ai shprehu pakënaqësinë jo ndaj vendimeve të arbitrave, por për sjelljen e tyre, pasi sipas Idrizit, gjyqtari i dytë i takimit ka sharë e ofenduar të gjithë lojtarët e Flamurtarit, bashkë me stafin teknik.

Ka pasur shumë tension edhe gjatë lojës, por edhe në përfundim të saj. Çfarë ndodhi, nëse mund të na i shpjegoni?

“Kam zbritur në stolin e skuadrës, pasi Behari u largua me karton të kuq dhe pashë që lojtarët e Flamurtarit po shaheshin me libër shtëpie nga arbitri i dytë, duke u treguar një bastard i vërtetë. Nuk merrem me vendimmarrje, por nuk mund të tolerojmë të shajnë lojtarët dhe stafin e skuadrës”, deklaroi ai në një intervistë të dhënë për SuperSport.

Kreu i Flamurtarit tha se do të bëjë një padi në polici për këtë rast.

“Të njëjtat fyerje vijuan edhe ndaj meje, ndaj unë tani do të bëj edhe një kallëzim në policinë e shtetit”, vijoi ai.

“Ne jemi munduar ta amortizojmë këtë problem dhe pranojmë fajin tonë. Ne jemi përpjekur të jemi civilë dhe marrim pjesë në këtë garë, por kur vijnë e na përdhunojnë me libër shtëpie, kuptojmë që kemi gabuar shumë”, shtoi më tej ai.

Top Channel