Ekspozitë në restorant; Fituesi i çmimit “Onufri” prezanton punimet e reja

05/05/2018 20:00

Ai është fitues i çmimit ndërkombëtar “Onufri”, një çmim prestigjioz për artet pamore nëse merr parasysh moshën e tij fare të re.

Por 27 vjeçarit Eros Dibra çmimi “Onufri” nuk ia ka milkuar sedrën aq sa ta ndiejë veten një artist të madh, nga ata që ekspozojnë vetëm në muze apo galeri. Pas një viti, ai thyen heshtjen duke ekspozuar punët e tij të fundit në një restorant.

“Është një ekspozitë e veçantë duke pasur parasysh që zakonisht ambienti ku ekspozohet është galeria klasike, ku muret janë bosh, janë të bardha. Në këtë rast është një restorant, një formë ndryshe e të ekspozuarit. E kam shmangur tematikën duke i quajtur thjesht piktura të reja, ku kryesisht luhet me idenë e shiut, të rrjedhjes se imazhit”, shprehet ai.

Në kuadrot e tij mbizotëron melankolia, që artisti e sjell përmes dukurisë së shiut në të gjitha stinët, një melankoli të cilën artisti nuk do ta mbajë vetëm për vete, por dëshiron ta ndajë me publikun.

“Në këtë rast edhe komunikimi me publikun është me i afërt dhe është në njëfarë mënyrë edhe më i sinqertë. Përmasat janë të ndryshme. Teknika është vaj në kanavace dhe vaj në lin. Ekspozita do të qëndrojë 3 muaj dhe kjo është një kohë shumë e mirë do thoja, pasi ndryshe nga galeritë, ku ekspozita zgjat 1 jave apo 10 dite, kjo është një kohë e mirë për ta përthithur si subjekt të gjithë ekspozitën”, thotë piktori Eros Dibra.

Top Channel