“Diamond League”, sezoni i ri i Atletikës nis në Doha

05/05/2018 12:33
Caster Semenya e Afrikës së Jugut, dy herë fituese e artë në Olimpiada, për 800-metërshin

Doha ishte vendi që priti ndalesën e parë të “Diamond League”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të atletikës.

Gara e parë e kësaj ndalese ishte ajo e 400 metrave për meshkuj, ku fitues doli Steven Gardiner nga Bahamasi, me 43.47 sekonda, që është edhe një rekord i ri i mitingut. Në vendin e dytë u rendit Harun nga Katari, ndërsa i treti doli Makwala nga Bortsvana.

Në hedhjen e diskut për femra, fitorja i shkoi kroates Sandra Perkoviç me 71.38 m, e cila gjithashtu vendos një rekord të ri të mitingut. Perkoviç ishte e distancuar nga kubanja Perez, që e mbylli garën me 66.82 metra, ndërkohë që në vendin e tretë u rendit një tjetër atlete kubane, Denia Caballero.

Në hedhjen e shtizës për meshkuj është një dominim total i atletëve gjermanë, që pushtuan 3 vendet e para. Rezultatin më të mirë e arriti Thomas Rohler, me 91.78 metra, i ndjekur në vendin e dytë nga Johanes Vetter, me 91.56 m, dhe në të tretin Andreas Hoffman, me 90.08 m.

Në 1.500 metra për femra, fitorja i shkoi afrikano-jugores, Caster Semenya, me 3 minuta, 59 sekonda e 92 të qindtat, e ndjekur nga keniania Jepskogei, në vendin e dytë, dhe etiopiania Alemu, në të tretin.

Në garën e 100 metrave për femra fitoi sprintierja nga Bregu i Fildishtë, Marie-Josee Ta Lu, me 10.85 sekonda, e ndjekur nga nigeriania Okagbare dhe xhamajkania Elaine Thompson. Ndërsa në 200 m për meshkuj, amerikani Noah Lyles fitoi me një kohë rekord të mitingut prej 19.83 sekondash. Në vendin e dytë u rendit Richards i Trinidad-Tobagos, ndërsa i treti në garë doli turku Ramil Gulyiev.

Top Channel