Qeveria e futbollit Europian duket se ka bërë një hap pas në lidhje me kundërshtitë e saj ndaj aplikimit të sistemit VAR.

Pas protestave të Federatës franceze për eliminimin e PSG dhe pas indinjimit të shtuar spanjoll, gjerman dhe italian së fundmi në Champions, duket se në selinë e UEFA-s po mendohet tashmë në mënyrë jo radikale për teknologjinë.

Vendet protestuese kanë fuqi të madhe në futbollin kontinental, dhe po e detyrojnë presidentin e UEFA-s Aleksandër Ceferin, që ta përfshijë sistemin e video arbitrimit në garat e eliminimit direkt. Kjo pritet të aplikohet në Ligën e Kampioneve dhe në Europa League, duke nisur nga sezoni 2018-19.

Në Champions këtë sezon duket se janë verifikuar shumë gabime nga ana e arbitrave dhe produkti final që përfshin ndikimin e sponsorëve, publikut, dhe vetë spektaklit, është një makinë parash që nuk duhet cenuar.

UEFA po mendon për një kompromis që të kënaqë të gjitha palët, si ato që janë besnike ndaj futbollit të vjetër, ashtu dhe atyre që pretendojnë më tepër drejtësi në fushë, edhe pse kjo sjell shpeshherë situata të pakëndshme dhe pritje të padurueshme për sistemin VAR.

Në horizont gjithashtu është Europiani 2020, një kohë jubilare në 60 vjetorin e këtij turneu, dhe UEFA kërkon të mos kapet në befasi me pakënaqësitë e tifozëve.

Top Channel