Teatri monument kulture, Çipi: S’ka argumente për të rrëzuar propozimin

04/05/2018 12:49

Pas protestave dhe takimeve të përjavshme në teatër, artistët e Teatrit Kombëtar kanë përshkallëzuar iniciativën e tyre.

Ata i kanë dorëzuar Ministrisë së Kulturës dhe drejtorisë së Institutit të Monumenteve të Kulturës, një propozim të firmos nga qytetarë, shoqëria civile, sindikata e artistëve, por edhe parti politike, ku i kërkojnë shpalljen e kompleksit teatror, monument kulture të kategorisë së dytë.

Por çfarë pritet nga Ministria e Kulturës? Për të folur në lidhje me këtë çështje ishte i ftuar në edicionin e orës 12:00 në Top Channel, regjisori Kastriot Çipi.

TCH: A keni gjetur mbështetje për propozimin tuaj?

Kastriot Çipi: Mbështetja e atyre që ishin në aktivitetin e radhës ishte e menjëhershme. Të hënën e ardhshme ne kemi parashikuar një takim, ku kemi ftuar 140 deputetët e Kuvendit, por edhe këshilltarët bashkiakë të Tiranës.

TCH: Po ktheheni pas në vite…

Kastriot Çipi: Në një kuptim po. Ajo që është bërë tashmë e qartë për publikun është se nëse do të ketë një projekt atje, do të jetë një operacion financiar që përfshin edhe bashkinë e Tiranës dhe ne kërkojmë transparencë. Ky debat në njëfarë kuptimi është një përsëritje e asaj që ka ndodhur në vitin 2002. Ndryshimet janë farë të vogla, thelbi është një i njëjtë. Në vitin 2002 askush nga ne nuk është akuzuar se po bën lojën e opozitës.

TCH: Megjithatë, një pjesë prej jush është shprehur se ky propozim për Ministrinë e Kulturës do të ngrijë statusin e Teatrit Kombëtar dhe në këtë mënyrë ju fitoni më shumë kohë. Më shumë kohë për çfarë?

Kastriot Çipi: Nëse propozimi miratohet, ne nuk fitojmë kohë, por ne fitojmë mbrojtjen. Jo vetëm mbrojtjen e asaj ndërtese, por edhe mbrojtjen e ndërtimeve në një perimetër sigurie 50 metra larg teatrit. Pra, sipas nesh nëse Ministria e Kulturës do ta shpallë monument kulture të kategorisë së dytë, atëherë njëra betejë është fituar, beteja për mos shembjen e Teatrit Kombëtar. Beteja do të jetë thjesht e shtyrë me 6 muaj apo më pak, nëse Ministria e Kulturës shprehet kundër, por unë mendoj se nuk ka argumente për ta bërë këtë.

TCH: Në atë rast do të dorëzoheni?

Kastriot Çipi: Sigurisht që nuk do të dorëzohemi. Në asnjë rast nuk do të dorëzohemi. Vlerat që kemi vendosur ne për objektin mjaftojnë për ta shpallur 4 herë atë institucion monument kulture, jo një herë sa po kërkojmë ne. Kjo Ministri Kulture, kanë shpallur monument kulture Kombinatin e Tekstileve, “Stalin”, i cili është në një gjendje katastrofike. Nëse me pyesni mua, unë them që është bërë mirë që është marrë ky vendim. Nuk ka argument që të rrëzohet propozimi ynë për teatrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA