Në harkun e më pak se një muaji, Kategoria Superiore do të formalizojë sprintin final të këtij sezoni, me 5 ndeshjet e fundit që do të certifikojnë dhe dilemat e fundit sezonale.

Nëse titulli kampion duket i sigurtë se do të shkojë në Korçë, enigmat më të mëdha i përkasin pjesëmarrjes në kupat europiane dhe skuadrës që do t’i bashkohet Lushnjes në rënien nga elita.

Kukësi-Lushnja duket një ekuacion i lehtë, por trajneri i skuadrës vendase nuk i beson diferencës në renditje.

“Kemi disa probleme në ekip me lojtarët, por duhet të fitojmë. Na mungojnë Kale dhe Alla, të skualifikuar. Çdo ekip që ka luajtur me Lushnjen ka fituar me vështirësi dhe ne duhet të bëjmë maksimumin për të marrë më të mirën. Mendoj se, edhe ata që kam në stol do të jenë të gatshëm të japin më të mirën. Edhe pse në futboll ndodhin shumë të papritura, e kam thënë se Skënderbeu e ka fituar titullin”, tha Peter Pacult, trajner i Kukësit.

Qetësia në kampin e kryesuesve u reflektua edhe te mesfushori Sabien Lilaj.

“Kemi pikët e duhura për të qenë të qetë, pavarësisht se shkojmë në Kurbin. Laçi është një ekip që na ka hapur gjithmonë probleme, shumë i fortë në fushën e vet. Por, unë besoj se Skënderbeu ka përvojën dhe cilësitë e duhura që të shkojë edhe në Laç për të marrë maksimumin”, u shpreh Lilaj.

Skënderbeu kryeson aktualisht me 11 pikë më shumë sesa Kukësi, kur janë ende 15 pikë në lojë, në 5 javët e fundit.

Top Channel