Policit që ruan Kushtetuesen tashmë i kane ngelur muret dhe gazeta. Një grumbull shoferësh në hyrje të gjykatës janë në kulmin e shkëmbimit të barcaletave.
Në mes të kësaj apatie, në gjykatën të cilës i kanë mbetur katër gjyqtarë, ka mbetur pak frymë dhe ajo më së shumti është tek dedektori që kontrollon vizitorët e një godine bosh.
Çdo të thotë Gjykata Kushtetuese ka rënë dhe që gjendet në kufi të mos ekzistencës? Do të thotë dyer që nuk hapen, sikurse prag që dikur kalohej nga palët për të dalë në seancë plenare. Do të thotë korridore bosh, të populluara kryesisht nga portrete ish-gjyqtarësh kushtetues ndër vite. Por, mbi të gjitha do të thotë se sot, momentalisht në Gjykatën Kushtetuese, nuk është zot Kushtetuta, por heshtja.
Besnik Imeraj dha dorëheqjen më 31 janar. Por askush nuk e ka hequr tabelën prej aty. Gjatë do të ngelen tabelat treguese edhe në zyrat e gjyqtarëve Altina Xhoxhaj dhe Fatos Lulo, të shkarkuar nga shkalla e parë e vettingut, por që nuk do të dorëzohen dhe pritet të përballen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Në pritje për të dalë para vettingut në zyra gjenden vetëm gjyqtarët Bashkim Dedja, Gani Dizdari e Fatmir Hoxha, Për këtë të fundit ka nisur tashmë numerimi mbrapsht i orës.
Të hënën në orën 11:00, gjyqtari Hoxha del para Komisionit të vettingut. E vetmja që ka dalë fitimtare deri më tani mes rojtarëve të Kushtetutës është Vitore Tusha. Kush e ka radhën?
Top Channel