Menjëherë pas komunikimit të vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, që la në fuqi dënimin 10-vjeçar të Skënderbeut nga kompeticionet europiane dhe gjobën prej 1 mln eurosh nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës, ka reaguar edhe klubi korçar përmes një deklarate për shtyp.
“Sot, Apeli i UEFA-s shpalli vendimin mbi ankimimin e paraqitur nga Skënderbeu. Siç ishte paralajmëruar dhe pritej, asnjë ndryshim nga vendimi pararendës nuk është bërë prej këtij komisioni, pavarësisht argumenteve dhe provave të paraqitura nga pala jonë në seancën dëgjimore të datës 26 prill”, thuhet në deklaratë.
Më tej, zyrtarë të klubit korçar theksojnë se, Skënderbeu, brenda afateve ligjore do të paraqesë ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të Lozanës, “ku do të parashtrohen faktet dhe provat që rrëzojnë qëndrimin paragjykues të organeve juridike të UEFA-s”.
“Drejtësia për përfitime personale nuk është drejtësi, veçse abuzim me pozicionin dominues”, shkruhet në komunikatën e Skënderbeut.
Klubi korçar shprehet i bindur në pafajësinë e kujtdo, lojtari apo zyrtari.
Top Channel