Shefi ekzekutiv i kompanisë ajrore franko-holandeze “Air France-KLM”, Jean-Marc-Janaillac ka njoftuar dorëheqjen, pasi stafi francez i saj rezufoi marrëveshjen e re për pagat.
“I pranoj pasojat e këtij votimi dhe do të ofroj dorëheqjen time në bordin e Air France dhe Air France-KLM në ditët në vijim”, tha ai.
Në një votim të fshehtë, 55 për qind e punonjësve francezë të kompanisë refuzuan marrëveshjen e re që parashikonte një rritje page prej 7 për qind përgjatë 4 viteve të ardhshme. Ata kishin kërkuar një rritje prej 5.1 për qind brenda këtij viti, në një mosmarrëveshje që nisi gjatë shkurtit.
“Air France-KLM”, një nga linjat ajrore më të mëdha në Europë, është ndeshur me një sërë grevash gjatë javëve të fundit, të cilat i kanë kushtuar kompanisë franko-holandeze miliona euro.
Situata bëri që kompania të ulë parashikimin për fitimet dhe rritjen e pritshme të saj për vitin 2018. Shkrirja mes “Air France” dhe “KLM”-së u bë në vitin 2004. Kompania ofron shërbime transporti ajror për dhjetëra milionë pasagjerë anembanë botës, çdo vit.
Reformat e punësimit të nisura nga presidenti francez, Emmanuel Macron kanë kontribuuar gjithashtu edhe në grevat e mbajtura nga punonjësit e kompanisë shtetërore hekurudhore “SNCF”.
Top Channel