“Peshk-banania i madh” u kap! SHBA përgëzon Gjermaninë dhe Shqipërinë

04/05/2018 19:20
Ilustrimi i përdorur nga ambasada e SHBA në Tiranë

Nën petkun e biznesmenit të bananeve, Arbër Çekaj dyshohet se ka futur në Shqipëri sasi të mëdha kokaine, para se në kompaninë e tij, “Arbëri Garden” në Maminas të sekuestrohej sasia rekord prej 613 kilogramësh “pluhur i bardhë”.

Gjatë operacionit u arrestuan dy persona, por jo Arbër Çekaj, që konsiderohej “organizatori i këtij trafiku”.

Rezultonte se Çekaj kishte lënë Shqipërinë në drejtim të Gjermanisë disa ditë para se të ndërmerrej operacioni i bujshëm nga ana e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Por a është Arbër Çekaj një “peshk i madh”? Sipas standardeve të vendosura nga Donald Lu, po.

“Nga çdo këndvështrim, Arbër Çekaj është një peshk i madh. Kompania e tij importoi një ngarkesë bananesh që përmbante sasinë më të madhe të kokainës në historinë e Shqipërisë. Ai është hetuar më parë për trafikim kokaine nga prokurorët shqiptarë. Ne përgëzojmë punën e prokurorëve të Krimeve të Rënda që kërkuan urdhër-arrestin për zotin Çekaj. Shqipëria ka një histori të gjatë arrestimesh të ngjalave dhe injorimi të peshqve të mëdhenj. Kjo gjë merr fund sot”, deklaronte ambasadori amerikan.

Arratia e Çekajt nuk zgjati shumë. Ai u arrestua nga policia gjermane së fundmi dhe Ambasada Amerikane e ka përshëndetur këtë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku nuk është kursyer në metaforë e humor.

“Bravo Gjermania! Bravo Shqipëria”, shkruhet shkurtimisht në postimin e një karikature, ku shfaqe një krijesë, gjysmë banane, gjysmë peshk.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA