Ministeriali i Selanikut, Bushati: “Lodhje” nga zgjerimi, por BE është rruga e vetme

04/05/2018 13:54

“Procesi i reformave dhe i transformimit të rajonit tonë është i gjatë dhe i vështirë, por ne jemi të vendosur për të çuar përpara këtë angazhim. Shqipëria e ka merituar marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE si rezultat i reformave të ndërmarra si dhe në adresimin e 5 prioriteteve kyçe. Ndonëse ka një lodhje nga zgjerimi dhe një lodhje nga evropianizimi, por serish për ne nuk ka alternativë tjetër për zhvillimin apo për të konsoliduar sigurinë në rajonin tonë veç BE dhe NATO. Por nevoja kryesore mbetet dhënia e një substance procesit të integrimit në rajonin tonë”.

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në Takimin e Tretë Ndërministror të Selanikut mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë.

Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet me të fundit rajonale, veçanërisht pritshmërinë për avancimin e rrugës evropiane të vendit tonë, por edhe të Maqedonisë pas rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave. Ky takim ndërministror diskutoi mbi ecurinë e perspektivës evropiane të rajonit, skicimin e projekteve të reja dhe nxitjen e bashkëpunimit politik me Greqinë dhe Bullgarinë, si partnere të rëndësishme në rajon dhe mbështetëse të procesit të përafrimit me Bashkimin Evropian. Temë e diskutimeve ishte edhe identifikimi i sfidave të sigurisë për rajonin tonë, që burojnë nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, në rajonin e Mesdheut Lindor dhe gjetkë, si dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në krizën migratore drejt Ballkanit.

Gjithashtu, Bushati veçoi rëndësinë e këtij formati rajonal të bashkëpunimit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e ndërveprimit në funksion të perspektivës së ardhshme evropiane të rajonit.

“Thellimi i angazhimeve tona do të konsolidojë më tej dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal të orientuar drejt BE-së, përmirësimin e mëtejshëm të lidhjeve tona të shumta përmes zhvillimit sektorial, bashkëpunimit ndërkufitar dhe përgatitjes më të mirë ndaj sfidave të sigurisë nga brenda dhe jashtë rajonit tonë”, theksoi Bushati.

Në kuadër të diskutimeve mes Ministrave të Brendshëm dhe të Infrastrukturës, u morën në shqyrtim aspektet e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkufitar, me fokus luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe parandalimit të fatkeqësive natyrore, si dhe të situatës së ndërlidhjes mes rrjeteve të transportit rrugor e hekurudhor të vendeve tona dhe mënyrat e mundshme për të çuar përpara bashkëpunimin në këtë fushë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA