MAS u tërhoq nga të dhënat e prindërve, PD mendon padinë ndaj Lindita Nikollës

04/05/2018 17:06

Ministria e Arsimit u tërhoq nga nisma e mbledhjes së të dhënave personale të prindërve të nxënësve, por ky vendim nuk mjafton për Partinë Demokratike.

“Tërheqja e Lindita Nikollës, nëse është e vërtetë, është e pamjaftueshme! Ministrja e Arsimit duhet të tregojë se përse gjeti një mekanizëm të paligjshëm që të sigurojë brenda natës numrat e kartave të identifikimit të të pakten 70% të shqiptarëve, pra të babait dhe të nënës së cdo fëmije që ndjek shkollën”, deklaroi Partia Demokratike.

Opozita e krahason këtë me dorëheqjen e Saimir Tahirit dhe akuzon Ministrinë se po i mbledh të dhënat për t’i përdorur në fushatë elektorale.

“Tërheqja e Minsitrisë së Arsimit nga mbledhja e paligjshme e të dhënave personale të prindërve nëpërmjet nxënësve është nje tallje me shqiptarët, e njëjtë me dorëheqjen e Saimir Tahirit. Për të dhënat e komunikimit në kohë reale me prindërit mjafton numri i telefonit ose email i vetëm një prindi. Numri i kartës së identitetit të prindërve, mund t’u duhet për identifikim në zgjedhje, por jo për komunikim në kohë reale”, vijon reagimi i PD.

Ministria e Arsimit thotë se të dhënat u grumbulluan për ndërtimin e rrjetit të komunikimit në kohë reale mes prindërve dhe mësuesve, që thotë do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e stafeve të shkollave kundrejt komunitetit të prindërve

Por, PD u bën thirrje prindërve të mos japin të dhënat e tyre personale tek një “bandë që do t’i përdorë ato për qëllime elektorale” dhe nuk përjashton ngritjen e një padie ndaj ministres Lindita Nikolla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA