Linja që lidh Singaporin me kryeqytetin malajzian, Kuala Lumpur, është trajektorja ndërkombëtare më e frekuentuar në botë. Avionët kanë bërë 30537 fluturime mes dy aeroporteve gjatë vitit të kaluar.
Trajektorja lë kështu prapa linjën Hong Kong Taipei, në një listë të dominuar nga destinacione aziatike. Fluturimi mes Singaporit dhe Kuala Lumpurit, merr rreth një orë dhe ka plane për të ndërtuar një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë mes tyre.
Sipas shifrave, bëhet fjalë për një mesatare prej 84 fluturimesh në ditë. Udhëtimi, kryhet nga një numër kompanish ekonomike, si Scoot, Jetstar, Air Asia dhe Malindo Air, por edhe nga kompanitë shtetërore të dy vendeve, Singapore Airlines dhe Malaysia Airlines.
Ndërsa jashtë Azisë, linja më e frekuentuar është ajo mes aeroportit të New York “La Guardia” dhe Toronto Pearson, një trajektore që ka regjistruar rreth 16956 fluturime në të njëjtën periudhë.
Për sa i takon numri të pasagjerëve, linja mes Hong-Kongut dhe kryeqytetit tajvanez mbetet më e frekuentuara me 6.5 milionë pasagjerë. Pas saj renditet ajo Singapore Jakarta me 4.7 milionë dhe Singapor Kuala Lumpur, me 4 milionë.
Sidoqoftë, edhe trajektoret më të frekuentuara ndërkombëtare nuk mund të konkurrojnë me fluturimet e brendshme më popullore. Linja më e frekuentuar në botë është ajo mes kryeqytetit koreano-jugor, Seul dhe ishullit shumë të pëlqyer për pushime, Jeju. Rreth 65 mijë avionë kanë fluturuar në këtë linjë në 2017, ekuivalente e rreth 180 fluturimeve në ditë.
Top Channel