Presidenti amerikan Donald Trump e lidhi “shenjtërinë” e Amendamentit të Dytë me të ardhmen e partisë së tij në zgjedhjet e mesmandatit të këtij viti, duke u thënë mbështetësve në konventën e përvitshme të Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA) se “ne duhet të zgjedhim republikanët”.
Trump goditi me një ton të ashpër vetëm pak muaj pasi u duk se u përmbajt disi nga mesazhi i “NRA”-së në ditët që pasuan masakrën në shkollën e Parklandit, në Florida. Ai u zotua se Amendamenti i Dytë “nuk do të diskutohet kurrë” për sa kohë që “unë të jem presidenti juaj”.
Fjalimi i tij në Dallas ishte i katërti radhaz në konventat e përvitshme të “NRA”-së. Komentet e tij mbi armët ishin pjesë e një fjalimi të një stili fushate zgjedhore, që preku edhe hetimin rus, fushatën e vitit 2016, emigrimin ilegal dhe përpjekjet e tij mbi Korenë e Veriut dhe Iranin.
Trump tha se demokratët duan “t’i bëjnë të paligjshme armët”, teksa u shpreh se nëse Amerika ndërmerr këtë hap, ajo duhet të ndalojë gjithashtu edhe furgonët e kamionët, të cilët po shfrytëzohen si “armë të reja” të “terroristëve maniakë”.
Fjalimi vjen në një kohë kur çështja e dhunës së lindur nga përdorimi pa kriter i armëve është ngritur në një nivel emergjent, pas një prej masakrave më vdekjeprurëse në shkolla në historinë e Shteteve të Bashkuara. Studentë të mbijetuar të masakrës së 14 shkurtit, në shkollën “Marjory Stoneman Douglas”, ku mbetën 17 të vdekur, janë vënë në krye të një lëvizjeje masive kombëtare për kontroll më të ashpër të armëve. Ata po fokusohen edhe në zgjedhjet e mesmandatit për të nxitur veprimin e ligjvënësve.
Top Channel