Luhen sot në mbrëmje ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Europa League nga ku do të dalin edhe skuadrat që do të diskutojnë trofeun e këtij kompeticioni në finalen e 16 majit në Lion.

Në Spanjë, Atletico Madrid do të presë në “Wanda Metropolitano” Arsenalin. Skluadra e Simeones vjen në këtë sfidë pas barazimit 1-1 të arritur javën e kaluar në Londër, një rezultat ky që i jep një lloj avantazhi.

Atletico i ka fituar 4 ndeshjet e fundit të Europa League në shtëpinë e saj, ndërsa Arsenali nuk e ka të mirë bilancin e ndeshjeve të luajtura në Spanjë; 2 barazime dhe 4 humbje. Kjo me Atletico Madrid do të jetë ndeshja e 250 e trajnerit të Arsenalit, Wenger në kompeticionet evropiane, kështu që topçinjtë dhe francezi do të kërkojnë që të festojnë me një kualifikim të mundshëm në finalen e Europa League.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale do të jetë ajo që do të luhet në “Stadion Salzburg” mes Salzburgut dhe Olympique Marseille. Skuadra franceze ka fituar ndeshjen e parë 2-0, por që gjithsesi nuk garanton plotësisht kualifikimin për në finale. Për më tepër, Salzburgu është parë në një situatë të tillë në çerekfinale me Lazion ndaj së cilës humbi ndeshjen e parë 4-2 për të përmbysur gjithçka në sfidën e kthimit që e fitoi 4-1.

Në të njëjtën kohë, Salzburgu nuk ka humbur asnjë nga 10 ndeshjet e luajtura deri tani në Europa League, ndërsa Marseille ka një bilanc me 1 fitore, 3 barazime e 4 humbje në ndeshjet jashtë fushe. Salzburgu dhe Olympque Marseille këtë sezon janë përballur me njëra tjetrën edhe në fazën e grupeve. Sfida e zhvilluar në Austri është mbyllur me fitoren e Salzburgut 1-0 ndërsa ajo në Francë me barazimin 0-0.

Top Channel