Ndryshimi i paktit, Irani: Nuk rinegociojmë! Opsioni ynë, dalja prej tij

03/05/2018 21:40

Ministri i Jashtëm i Iranit u shpreh këtë të enjte se kërkesat e Shteteve të Bashkuara për të ndryshuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore ishin të papranueshme, pasi afati i vendosur nga presidenti Donald Trump ndaj europianëve për të “përmirësuar” marrëveshjen përfundoi.

Trump ka paralajmëruar se, nëse aleatët europianë nuk do të korrigjonin “të metat e tmerrshme” në akordin ndërkombëtar deri më 12 maj, ai do të refuzonte të zgjaste lehtësimin e sanksioneve amerikane për Republikën Islamike.

“Irani nuk do të rinegociojë atë çfarë është arritur vite më parë dhe që është implementuar”, tha Mohammad Javad Zarif në një videomesazh të publikuar në “Youtube”.

Britania, Franca dhe Gjermania mbeten të angazhuara për akordin në gjendjen aktuale, por tashmë, në përpjekje për të mbajtur edhe Uashingtonin pjesë të tij, dëshirojnë të rihapin bisedimet mbi programin e raketave balistike të Iranit, si dhe aktivitetet bërthamore të tij përtej vitit 2025, kur të skadojnë parimet bazë të marrëveshjes, si dhe rolin e Republikës Islamike në krizat e Lindjes së Mesme, si në Siri dhe Jemen.

Një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollahut Ali Khamenei paralajmëroi gjithashtu europianët për “rishikimin” e marrëveshjes bërthamore, sipas së cilës Irani zotohet të kufizojë ndjeshëm pasurimin e uraniumit për të ndihmuar në sheshimin e frikërave se do të mund të prodhojë ndonjëherë armë bërthamore, duke marrë në këmbim lehtësimin e sanksioneve të rënda ekonomike.

“Edhe nëse aleatët e Amerikës, veçanërisht ata europianë, do të përpiqeshin të rishikonin marrëveshjen…, një nga opsionet tona do të ishte tërheqja prej saj”, citohet të ketë thënë Ali Akbar Velayati nga televizioni shtetëror.

Nënshkruesit europianë të paktit janë përpjekur të detyrojnë Trumpin t’i qëndrojë akordit të arritur me mundim nën drejtimin e paraardhësit të tij, Barack Obama. Ata argumentojnë se është vendimtare parandalimi i destabilizimit dhe garës së armatimeve në Lindjen e Mesme, dhe se Irani iu është përmbajtur kushteve, një vlerësim që ndahet edhe nga shërbimet sekrete amerikane dhe agjencia mbikëqyrëse bërthamore e OKB-së, IAEA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA