Paul von Hindenburg dhe Adolf Hitler udhëtojnë së bashku në një makinë të hapur gjatë një parade të zhvilluar në Berlin, maj i vitit 1933.

Marrë nga Project Syndicate – Që prej vendosjes së Republikës Federale në vitin 1949, gjermanët kthejnë herë pas herë kokën pas tek rrëzimi i Republikës së Vajmarit dhe ngritjes në pushtet të nazistëve, në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar dhe pyesin veten se ku do të ishte vendi nëse kjo nuk do të ndodhte.

Sot, shumë demokraci botërore, jo vetëm ato që konsiderohen “të brishta” janë nën trysninë e përhershme të autoritarizmit dhe populizmit, ashtu si Republika e Vajmarit në Gjermaninë e pas Luftës së Parë Botërore, ndaj lind si domosdoshmëri kthimi pas në kohë tek ato ngjarje që shërbejnë si një mësim.

Gjithçka nisi me krizën ekonomike, me spiralet e inflacionit, depresionin e madh, krizën e bankave, që janë sfida të vazhdueshme me të cilat përballen të gjitha qeveritë, kudo në botë. Pra, pasiguria ekonomike dhe bindja e vazhdueshme që çdo regjim tjetër mund të jetë më i mirë se ai aktuali, çojnë ujë në mullirin e autoritarizmit.

E në të gjithë këtë, mënyra sesi u rrëzua Republika e Vajmarit duhet të shërbejë si një leksion për të kuptuar se cila është logjika e funksioni i demokracisë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të një shoqërie.

Një tjetër mësim është se nën kushtet ekstreme ekonomike, përfaqësimi proporcional mund t’i përkeqësojë gjërat. Pra, në një vend me një klasë politike të copëzuar, fragmentarizuar, përfaqësimi proporcional me gjasa prodhon një mazhorancë që nuk përputhet me bindjet e shumicës, duke ushqyer zakonisht ekstremin e majtë dhe atë të djathtë; që bien dakort se “sistemi duhet rrëzuar”, por përplasen për gjithçka tjetër.

Të dy këto mesime që mbërrijnë nga Vajmari janë përsëritur edhe pas Luftës së Dytë Botërore, por të ndarë nga njëri-tjetri. Shkencat politike i kanë cilësuar raste të izoluara dhe të parrezikshme në një sistem demokratik të konsoliduar.

Argumenti ekonomik shtyn shumicën e njerëzve të mendojnë se vetëm një krizë ekstreme ekonomike mund të kërcënojë seriozisht një sistem politik; ndërsa argumenti i dytë, që ka të bëjë me përfaqësimin proporcional, shtyn njerëzit të besojnë gabimisht se përfaqësimet joproporcionale, në thelb prodhojnë një sistem politik më të qëndrueshëm.

Për ta kuptuar më mirë këtë logjikë duhen konsideruar edhe tetë leksione të tjera që na mbërrijnë po nga epoka e Vajmarit.

Së pari, referendumet janë të rrezikshme, sidomos kur përdoren rrallë dhe me një elektorat që ka pak përvojë me ta. Në Republikën e Vajmarit, nazistët thuajse ishin zhdukur në vitin 1929, por po në atë vit u rikthyen falë një fushatë të pashoqe në referendumin e mbajtur për reparacionet e Luftës së Parë Botërore.

Së dyti, shpërndarja e parlamenteve para kohe, kur ligji nuk e kërkon këtë, është shumë e rrezikshme. Edhe një vendim që sugjeron zgjedhje të parakohshme mund të interpretohet sikur sistemi i demokracisë ka dështuar. Në korrik të 1932, nazistët fituan 37 për qind të votave në një palë zgjedhje të lira, por ligjërisht të panevojshme, pasi zgjedhjet e fundit ishin zhvilluar vetëm dy vite më parë dhe të rejat nuk duhej të mbaheshin para 1934.

Së treti, Kushtetutat jo domosdoshmërisht mbrojnë sistemin. Kushtetuta e Vajmarit ishte ndërtuar nga ekspertët më të ndritur dhe më me integritet, përfshirë këtu edhe Max Weber. Ishte thuajse në perfeksion si ligj themeltar. Por, ngjarjet e paparashikuara, dramat në politikën e jashtme, apo protestat e brendshme, që interpetoheshin si emergjenca, gërryejnë edhe Kushtetutën më të mirë. Këtë terren shfrytëzojnë armiqtë e demokracisë.

Së katërti, shpesh biznesmenët që lobojnë tek politika ndikojnë për keq dhe përçajnë akoma më shumë fraksionet parlamentare.

Së pesti, një kulturë politike ku udhëheqësit demonizojnë rivalin, apo rivalët e tyre, gërryen demokracinë. Në Republikën e Vajmarit kjo nisi të ndodhë para se në skenë të shfaqeshin nazistët.

Së gjashti, familjet presidenciale mund të jenë të rrezikshme. Në Republikën e Vajmarit, marshalli i moshuar Paul von Hindenburg u zgjodh President në vitin 1925 dhe u rizgjodh në vitin 1932. Por, në fillim të viteve ’30 atë e zuri demenca dhe djali i tij Oskar, i pavendosur dhe i paaftë kontrollonte gjithçka në vend të tij. Rezultati; nisi të nënshkruajë çdo marrëveshje që i ofrohej.

Së shtati, nuk do të thotë që ekstremistët të vijnë në pushtet u duhet vetëm një mazhorancë absolute, edhe në sistemin proporcional. Nazistët nuk e tejkaluan dot 37 për qind të elektoratit, që morën në korrik të 1932. Në një palë zgjedhje të tjera që u zhvilluan në nëntor të po atij viti, preferencat për ta ranë në 33 për qind. Fatkeqësisht, kjo rënie bëri që partitë kryeore t’i nënvlerësojnë dhe të nisin të shqyrtojnë seriozisht mundësinë e koalicionit me ta.

Së teti, të pakënaqurit mund të mbahen nën kontroll përkohësisht përmes financimeve të ndryshme, por kjo s’mund të ndodhë gjithmonë. Në Republikën e Vajmarit, shteti ishte bujar duke ofruar strehim, shërbime vendore dhe subvencione në bujqësi dhe industri, por të gjitha këto financoheshin duke rritur borxhin publik.

Për të qenë të qartë, Republika e Vajmarit u duk në fillim si një “mrekulli ekonomike”, por më vonë u panë efektet e politikave të pakontrolluara të borxhit dhe qeveria nisi të shtrijë dorën për ndihmë nga vende të tjera. Por, vendet e tjera e kishin të vështirë të besonin në ato vite se pa një ndihmë, një katastrofë politike do të ndodhte.

Besohet gjerësisht se vendet me sistem mazhoritar, si SHBA dhe Britania e Madhe janë më të qëndrueshëm se sistemet proporcionale. Por, SHBA dhe Britania janë demokraci të vjetra me një kulturë politike dhe qytetarie të ngulitur fort.

Autori Harold James është profesor i Historisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA