“3 Maji”, dita e Lirisë së Shtypit kremtohet nëpër botë me kujtesën e vështirësive që bart në vetvete ky profesion. Vetëm pak ditë më parë, 10 reporterë humbën jetën në Afganistan; 9 të shënjestruar prej një atentatori vetëvrasës, njëri viktimë e një sulmi të mirëpërcaktuar.
Terrorizmi pati këtë herë shtypin në objektivin e tij, pati fjalën e lirë. Ajo është mbytur në Arabinë Saudite, ku Princi i kurorës brohoritet se i lë gratë t’i japin makinës dhe hap kinema, ndërsa blogere si Raif Badaëi vazhdojnë të mbeten në qeli, vetëm sepse praktikuan të drejtën bazë të lirisë së mendimit.
Në Bangladesh e në Pakistan, blogerët rrezikojnë jetën e tyre kur raportojnë në mënyrë kritike për Islamizmin gjithnjë e më të fortë në vendet e tyre.
“Mbështetja efikase nga bota e jashtme, me gjithë përpjekjet e shumë diplomatëve, – kujton “Deutsche Welle”, – mjerisht është gjë e rrallë”.
Por, në asnjë vend tjetër sa në Meksikë, ku shteti nuk i vë nën kontroll kartelet e drogës, gazetaria nuk është ndoshta aq e rrezikshme. Vitin e kaluar, atje u vranë 11 gazetarë, një shifër kjo e kapërcyer vetëm në Siri, në kushte lufte.
Goditja e lirisë së medias mbërrin edhe në formë më pak të dhunshme, por paralizuese, me censurën e egër në Turqinë anëtare të NATO-s, apo shtete të BE-së si Polonia e Hungaria.
Sipas Indeksit të sivjetshëm botëror të Lirisë së Medies, armiqësia ndaj tyre është përhapur nga diktaturat te demokracitë, e inkurajuar nga sulmet e presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësve të tjerë kundër të ashtuquajturave “lajme të rreme”.
Madje, për konsorciumin ndërkombëtar të gazetarëve investigativë, rënia më e madhe e lirisë së shtypit këtë herë është vënë re në Europë, edhe pse rajoni vazhdon të cilësohet si më i sigurti për reporterët nëpër botë, e në këtë përfundim ndikuan dy vrasje: ajo e gazetares Daphne Caruana Galizia në Maltë dhe ekzekutimi i reporterit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij në Sllovaki.
Top Channel