Librat shqip do të mbërrijnë deri në Australinë e largët, ku sipas statistikave jetojnë rreth 14 000 shqiptarë.

Kjo çështje ishte në fokus të takimeve që zhvilloi Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko me zyrtarë të lartë ne Ministrinë e Jashtme australiane dhe Departamentin e Arsimit dhe Trajnimeve në Canberra.

Në vizitën e parë të një zyrtari të lartë pranë komunitetit shqiptar në Australi, Ministri Majko i shprehu mirënjohjen autoriteteve vendase për standardet e larta në trajtimin e emigrantëve, duke thënë se integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk janë në konflikt me njëri–tjetrin.

Duke përshëndetur përfshirjen e gjuhës shqipe në sistemin shkollor në vendet ku përqendrohen me së shumti shqiptarët, të tilla si Melbourne, z. Majko i kërkoi Drejtorit për Evropën dhe Azinë në Departamentin e Arsimit, z. Craig Johnson, bashkëpunim në projektin e shpërndarjes së librave shqip në Australi dhe atë të mundësimit të librave online. Zyrtari i lartë Australian vlerësoi iniciativën e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me atë të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

“Në Australi gjuha është shumë e rëndësishme dhe ne jemi fokusuar në ruajtjen e gjuhëve të komuniteteve që jetojnë këtu prej 25 vitesh. E kuptoj rëndësinë e projektit për t’u ofruar fëmijëve qasje ndaj materialeve të caktuara që lidhen me trashëgiminë dhe gjuhën e origjinës, kështu do të vlerësojmë mënyrën më të mirë për t’iu ndihmuar”, u shpreh z. Johnson.

Ai vlerësoi planet për publikimin e librave online, pasi siç tha, në këtë mënyrë mund të arrihej më lehtësisht brezi i ri. Zyrtarët e lartë australianë informuan Ministrin se në shtetin e Viktorias, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, një grup i caktuar merret me identifikimin e mësuesëve dhe pjesëtarëve të interesuar të komunitetit, duke organizuar më pas kurse të gjuhës shqipe. Z. Majko e cilësoi modelin e integrimit në Australi si një shembull për t’u ndjekur.

Ndërkaq, në takimin me Zv/sekretarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme z. Christofer Langman u diskutua për bashkëpunimin e të dyja vendeve për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Australi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA