Ish-presidenti i Interit, Moratti: Me Juven, rikthim në të kaluarën

03/05/2018 21:26

Inter-Juventus është një çështje që nuk mund të mbyllet! Pas shumë polemikave që pasuan ndeshjen e “San Siro”-s, për të dhënë mendimin e tij ka ndërhyrë edhe ish-presidenti zikaltër, Massimo Moratti.

“Për shumë interistë ishte një rikthim në të kaluarën, papritmas u ndienë të përfshirë tërësisht në një histori të së shkuarës. Thënë ndryshe, janë ndierë viktima të situatave të çuditshme”, është shprehur ish-padroni i Interit. “Shumë gjëra nuk shkojnë siç duhet, por ndeshje si ajo e së shtunës të bëjnë të ndihesh edhe më shumë interist”, shton më tej Moratti.

Ndonëse foli për Interin në përgjithësi, e pati të pamundur të ndalej te sfida që përfundoi me rezultatin 2-3 në “San Siro”.

“Ishte një vuajtje e thellë. U ndiemë të përfshirë sërish në një histori të kaluar, që nuk përfundon kurrë, por që e vendos Interin në kushtet e të pasurit një karakter specifik dhe karakteristika specifike, që janë gjithnjë të ngjashme me ato të Interit, siç janë të ngjashme ato të Juventusit. Nuk dua të flas për viktimizim, por gjithsesi ishim viktima të situatave të çuditshme. Por, mendoj se çfarë ndodhi i bën interistët të ndihen edhe më shumë interistë”, tha ish-presidenti.

Gjithsesi, pas asaj ndeshjeje Moratti sheh edhe aspekte pozitive.

“Ishte diçka heroike që i rezistuan deri në minutën e 85-të me një lojtar më pak”, tha ai. Por nuk harron edhe një “shuplakë” për Spallettin dhe zgjedhjet e bëra prej tij.

“Në fund mund ta kishte ruajtur këtë heroizëm edhe për 5 minutat e mbetura të ndeshjes, e rezultati sigurisht që do të ishte ndryshe nga ai që dimë sot. Ndoshta pa bërë ato zëvendësime do të kishim mundur të merrnim maksimumin e pikëve nga ai takim”, thotë Moratti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA