Refuzimi i shefit ekzekutiv të Teslës për t’iu përgjigjur pyetjeve të mërzitshme për financat e prodhuesit të makinave elektrike lëkundi fort “Wall Street”-in dhe bëri që kompania të humbasë 7% të vlerës së aksioneve brenda ditës.
Elon Musk, me siguri që u bezdis nga pyetjet e detajuara financiare të analistëve, por refuzimi i tij për t’u përgjigjur ngjalli shqetësime për aftësinë e kompanisë për të fituar parà në të ardhmen.
Tesla publikoi humbje rekord prej 710 milionë dollarësh për tremujorin e parë të vitit, dy herë më shumë sesa një vit më parë. Problemi kryesor është prodhimi i ngadaltë i modelit 3, një makinë elektrike e shumëpritur, por që nuk po ia del të plotësojë kërkesat, duke shkaktuar humbje serioze financiare.
Që të kënaqë konsumatorët dhe të sjellë fitime, Tesla duhet të prodhojë të paktën 5.000 makina në javë, diçka që e bën shumë zhgënjyese performancën e saj me 2.271 makina në javën e fundit të prillit.
I pyetur pikërisht për këtë problem dhe pasojat e tij financiare, Elon Musk nuk duroi më dhe tha se s’kishte nerva t’u përgjigjej pyetjeve ekonomike të mërzitshme prej peshkopi, pasi donte që të fliste për teknologjinë.
Megjithatë, ai premtoi se do të arrijnë objektivat e prodhimit në fund të qershorit, siç është planifikuar, pasi janë zgjidhur problemet teknike. Analistët thonë se, nëse Tesla nuk ia del, atëherë s’ka rëndësi nëse Musk përgjigjet apo jo, pasi goditja në bursa do të jetë sërish serioze.
Top Channel